Dëshmi të gjalla të mizorisë serbe
"Në këto momente që ne po flasim këtu, nuk duhet të harrojmë se populli i Kosovës është në rrethim dhe po i nënshtrohet pastrimit etnik dhe gjenocidit", tha zonja Bianca Jaggard, aktiviste amerikane për të drejtat e njeriut, në një mbledhje të zhvilluar në "Bruno Ristorante" në Manhattan.
"Ne duhet të ngremë zërin dhe të kërkojmë të futen trupat tokësore në Kosovë sa nuk është vonë, të ndalet genocidi dhe Sllobodan Millosheviçi të dalë para gjyqit si kriminel lufte", tha ajo.
Në këtë mbledhje të organizuar nga shoqata shqiptaro-amerikane "Motrat Qiriazi", ku merrnin pjesë afro 100 vetë, prunë dëshmitë e tyre të gjalla mbi dëbimin masiv dhe me dhunë të shqiptarëve nga Kosova mjekja-pediatre Vjollca Dobruna dhe gazetarja Afërdita Kelmendi.
"Jemi ndër të parët që mund të themi diçka për ata që kanë mbetur të rrethuar në Kosovë", tha Vjollca Dobruna. "Pastrimi etnik dhe genocidi, - tha ajo, - kanë filluar para 8 vjetësh... Ishte muzikë për ne zhurma e bombardimeve ...Gjatë bombardimeve policët dhe ushtarët serbë fshiheshin nëpër strehime dhe ne nuk kishim frikë se na arrestonin ... Nuk dimë se sa shqiptarë janë pushkatuar".
Ajo foli për peripecitë e shqiptarëve që u detyruan me dhunë të linin shtëpitë, vendin e tyre, për fëmijët e pleqtë e sëmurë dhe të uritur që udhëtuan ditë të tëra drejt kufirit, marrjen dhe zhdukjen e dokumenteve të identifikimit, keqtrajtimet çnjerëzore nga policët dhe ushtarët serbë etj.
"Ne do ta rindërtojmë gjithçka është shkatërruar, por vetëm në Kosovën e lirë dhe kurrë më nën Serbinë", tha Dr. Dobruna.
"Kemi parë plot ato ditë, - tha gazetarja Afërdita Kelmendi. - Njerëz të maskuar që keqtrajtonin njerëzit, u merrnin dokumentat, u grabisnin paratë, i nxirrnin me forcë nga makinat.... Shumë njerëz u kthyen në Prishtinë dhe nuk dimë asgjë se çfarë ka ndodhur me ta".
Dr. Vjollca Dobruna dhe gazetarja Afërdita Kelmendi kishin qenë dje në Kongresin amerikan për të dëshmuar për mizoritë e policisë dhe ushtrisë fashiste serbe kundër shqiptarëve etnikë të Kosovës. Ato ishin takuar me udhëheqës të shtetit amerikan dhe kishin kërkuar që të futeshin sa pa qënë tepër vonë trupat tokësore për të shpëtuar Kosovën nga zbrazja, për të shpëtuar shqiptarët e mbetur në Kosovë. Ato kishin biseduar me zonjën Clinton, me zonjën Albright.
"Ne kishim hapur Radio-TV 21 dhe përpiqeshim të informonim popullin për ato që ndodhnin. Me 23 mars radioja u mbyll. Disa prej gazetarëve kanë ikur në Shqipëri apo Maqedoni, por shumica janë në Kosovë. Njëri prej tyre, Gazmend Berisha, u ekzekutua nga serbët", tha zonja Kelmendi.
Ato folën për gjendjen e refugjatëve, 30.000 prej të cilëve janë të sëmurë dhe kanë nevojë për ndihmën mjekësore, për fëmijët e humbur, për ndarjen e familjeve.
Shkrimtarja Shqipe Malushi dhe Dr. Anna Cohen, që ishin organizatoret kryesore të këtij takimi, na thanë se shoqata e tyre "Motrat Qiriazi" është mobilizuar si asnjë herë tjetër për të informuar median amerikane për mizoritë serbe kundër shqiptarëve të Kosovës dhe për të mbledhur ndihma për të shpërngulurit nga Kosova.
Botuar në gazetën "Illyria", New York, 21 Prill 1999